Sporti

U rikthye me gol tek kombëtarja daneze, Eriksen: Nuk mund ta them se sa më ka munguar kjo ndjenjë

03/27/2022 08:46
nga:L J

Christian Eriksen u rikthye në kombëtaren daneze dhe vetëm dy minuta pas hyrjes në lojë, në kontaktin e tij të parë me topin ai shënoi.

Kombëtarja e tij u mund nga Holanda me rezultat 4:2, përcjell GazetaBlic Sport.

Eriksen u rikthye në fushë me kombëtaren për herë të parë – pas atakut kardiak që kishte gjatë ndeshjes së Danimarkës në Euro 2020 me Finlandën në stadiumin Parken në Kopenhagë.

Dje, ai u rikthye të luajë me fanellën e kombëtares dhe shënoi golin e 36-të në paraqitjen e tij të 110-të.

“Nuk mund të them se sa më ka munguar kjo ndjenjë”, ka shkruan Eriksen në Instagram me një foto nga festimi i golit të tij.

Në një intervistë për mediat pas ndeshjes së luajtur në Amsterdam, në të cilën ai kaloi disa vite si lojtar i Ajax-it, ai komentoi ndeshjen.

“Ndjeva mirëpritjen e tifozëve holandezë. Kam luajtur këtu për vite, sigurisht që ata më njohin, por ishte një mënyrë e bukur që më mirëpritën. Jam i lumtur për golin, kjo ishte mënyra e përsosur për t’u rikthyer në kombëtare. Tani po pres me padurim Kupën e Botës në Katar, por ka ende shumë për të luajtur dhe unë jam i fokusuar”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport