Sporti

E mbylli në mënyrën më të keqe, Burak Yilmaz i jep lamtumirën Turqisë

03/25/2022 11:09
nga:Mergim Rreci

Kombëtarja e Turqisë është mposhtur me rezultat 3 me 1 nga ajo e Portugalisë.

Megjithatë, kur rezultati ishte 2 me 1, turqit kanë mund që ta barazojnë rezultatin, shkruan GazetaBlic Sport.

Burak Yilmaz mori përsipër ekzekutimin e penalltisë, me ç’rast dështoi duke e dërguar topin mbi portë, kur po zhvillohej minuta e 85-të.

36-vjeçari e nisi takimin si titullar, duke shënuar golin e vetëm të Turqisë në minutën e 65-të, ndërsa pas penalltisë së humbur edhe eliminimit nga Katar 2022, sulmuesi i Lille ka vendosur të tërhiqet nga përfaqësuesja turke. Ishte vetë sulmuesi që e pohoi diçka të tillë në përfundim të takimit, duke deklaruar se kjo ishte sfida e tij e fundit me përfaqësuesen turke.

Yilmaz ka luajtur për të gjitha moshat e Turqisë, ndërsa në 12 prill 2006 debutoi me ekipin e parë, në epokën e Fatih Terim dhe që nga ai vit, Burak numëron 77 prezenca dhe 31 gola, i dyti në listën e golashënuesve të përfaqësueses turke, pas Hakan Sukur me 51 gola në 112 ndeshje. Burak Yilmaz shënoi golin e parë me kombëtaren në 3 qershorin e vitit 2011 ndaj Belgjikës, ndërsa rrjeta e fundit u shënua në tokën portugeze.