Në samitin e NATO-s, i cili u zhvillua sot në Bruksel, udhëheqësit e shteteve anëtare të Aleancës janë pajtuar që të shtojnë shpenzimet në fushën e mbrojtjes, kanë raportuar mediat ndërkombëtare, përcjellë Gazeta Blic.
Gjithashtu u mor vendimi që Sekretarit të Përgjitshëm të NATO-s, Jens Stoltenbergut, ti vazhdohet mandati deri më 30 shtator të vitit 2023, pikërisht për shkak të luftës në Ukrainë.
Udhëheqësit e NATO-s u pajtuan që të forcojnë krahun lindor të aleancës, duke stacionuar katër grupe të reja luftarake në Rumani, Bullgari, Hungari dhe Sllovaki.
“Ne kemi aktivizuar planet e NATO-s për mbrojtje, kemi angazhuar elemente të Forcës së Reagimit të NATO-s dhe kemi vendosur 40,000 trupa në krahun tonë lindor”, tha Stoltenberg.
Stoltenberg tha më tutje se NATO do të ketë më shumë forca në krahun lindor, do të ketë më shumë aeroplanë në ajër, ndërsa në det, sipas tij, Aleanca do të ketë anije dhe nëndetëse.
Sekretari i Përgjithshëm më tutje qartësoi se aleatët janë pajtuar që të forcojnë edhe ndihmat për Ukrainën.
“Sot arritëm marrëveshjen që të mbështesim Ukrainën edhe në hapësirën kibernetike, si dhe që të ndihmojmë Ukrainën që të mbrojë vetën nga sulmet, ato kimike, radiologjike dhe sulmet tjera. Jemi të gatshëm të bëjmë çdo gjë për të ndihmuar Ukrainën”, tha Stoltenberg.
Ai gjithashtu tha se NATO e ka obligim që të bëjë çmos për të mos lejuar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Stoltenberg tha se shtetet anëtare të Aleancës në bashkëpunim të plotë mes vete duhet të garantojnë edhe sigurinë dhe pavarësinë e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe qartësoi se çfarëdo përdorimi i armëve kimike në Ukrainë do të ishte shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe se ky veprim do të nxiste pasoja.
I pyetur për propozimin e Polonisë, për të stacionuar një forcë paqeruajtëse në Ukrainë, Stoltenberg tha se NATO nuk do të stacionojë forca në Ukrainë, me qëllim që ti shmanget luftës frontale me Rusinë.


