Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në përvjetorin e 23-të të fillimit të bombardimeve të NATO-s, ka thënë se emrat dhe vepra madhështore e presidentit Clinton, sekretares Albright, Gjeneralit Clark, sekretarit Solana, ambasadorit Holbrooke, janë të skalitur thellë në historinë tonë të lavdishme, identitetin e Republikës sonë dhe qenien tonë shpirtërore.
Përmes një postimi në Facebook, Mehaj ndër të tjera ka shkruar se 23 vjet më parë, NATO filloi fushata e bombardimeve ajrore, respektivisht Operacioni Allied Force, kundër caqeve ushtarake të shtetit kriminal të Serbisë.
Postimi i plotë:
Sot 23 vjet më parë filloi përballja historike mes humanes dhe barbarisë së regjimit shovinist serb.
23 vjet më parë, NATO filloi fushata e bombardimeve ajrore, respektivisht Operacioni Allied Force, kundër caqeve ushtarake të shtetit kriminal të Serbisë.
Përpjekjeve tona titanike shekullore për liri, me shumë sakrifica, iu bashkuan në kohën më kritike, kombet liridashëse në formacionin e përbashkët, Aleancën Mbrojtëse të vlerave të lirisë, paqes dhe demokracisë.
Mirënjohje e përjetshme për gjithë ata diplomatë e ushtarakë që kontribuan në betejën tonë kritike.
Emrat dhe vepra madhështore e Presidentit Clinton, Sekretares Albright, Gjeneralit Clark, Sekretarit Solana, Ambasadorit Holbrooke, janë të skalitur thellë në historinë tonë të lavdishme, identitetin e Republikës sonë dhe qenien tonë shpirtërore.


