Sporti

Kosova sot nis epokën e re me Giresse, përballet me Burkina Fason në “Fadil Vokrri”

03/24/2022 08:34
nga:E K

Kosova sot nis rrugëtimin e saj në epokën e re të menaxhimit me trajnerin francez, Alain Giresse.

Giresse erdhi në pozitën e të parit të Kosovës, pas shkarkimit të Bernand Challandes i cili dështoi të arrinte rezultate pozitive me “Dardanët” në periudhën e fundit të udhëheqjes së tij, shkruan GazetaBlic Sport.

Selektori francez i Kosovës, në konferencën për shtyp të mbajtur pak ditë më parë tha se ende nuk ka një formacion bazë, kurse këto dy ndeshje do i shfrytëzojë që të njoh ekipin dhe formën e lojtarëve në pozitat e caktuara.

Sfida e parë e Kosovës në mars është ndaj Burkina Fasos, kombëtare kjo e cila kishte arritur deri në gjysmëfinale të Kupës së Afrikës të këtij viti.

Ndeshja zhvillohet në Fadil Vokrri në Prishtinë me fillim nga ora 18:00.

Kujtojmë se Kosova do të ballafaqohet edhe me Zvicrën me 29 maj.

/GazetaBlic Sport/