Sporti

Gramoz Vokrri: Do t’i ndjeki hapat ligjor, kjo që u bë sot është anti-demokratike

03/23/2022 22:30
nga:L J

Gramoz Vokrri i cili ishte kandidat për t’u bërë kandidat për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës – sot mori reagimin negativ nga institucioni më i lartë i futbollit.

Komisioni i FFK’së nuk certifikoi Gramoz Vokrrin, pasi sipas FFK’së nënshkrimet e klubit të Ulpianës, Prishtinës dhe Kikës janë jo-valide, shkruan GazetaBlic Sport.

Vokrri theksoi se nuk e di se kush ishte pjesë e komisionit të pavarur të FFK’së.

“Duhet të potencohet se ky komision thuajse i pavaruar, nuk dihet se nga kush përbehet, nuk kemi emra-mbiemra, nuk dihet kush është kryesus, me fjalë të tjera si KQZ’ja të bëhet pronë e një partie politike”, tha fillimisht Gramoz Vokrri në Kanal10.

Vokrri më pas theksoi se nuk do të ndalet, pasi tani do t’i ndjekë hapat ligjor në lidhje me mos-certifikimin e tij.

“Do t’i ndjeki hapat ligjor, unë i kam bërë publike nënshkrimet e mija, z.Ademi nuk ka nevojë t’i marrë nënshkrimet, mundet edhe me propozim të KE’së. Kjo është anti-demokratike. Nuk e kam pa ende Ademin duke propozuar ndonjë planprogram konkret”, vazhdoi ai.

“Po shihet qartë tendenca për të anashkaluar çdo llojë konkurrence, çdo llojë fryme demokratike që po e percjell këtë proces. Jemi duke folur për futboll, jo për dika shumë më të rëndë”, përfundoi Gramoz Vokrri.

/GazetaBlic Sport