Sporti

Mancini lavdëron Maqedoninë e Veriut para ndeshjes së nesërme: Ata luajnë mirë – fituan në Gjermani

03/23/2022 18:25
nga:L J

Nesër në orën 20:45 Italia dhe Maqedonia e Veriut do të përballen në stadiumin ‘Renzo Barbera në Palermo’.

Kushdo që fiton do të përballet me fituesin e takimit Turqi-Portugali, për të marrë biletën për t’u kualifikuar në Kupën e Botës që zhvillohet në Katar, përcjell GazetaBlic Sport.

Trajneri italian Roberto Mancini foli sot në lidhje me ndeshjen në një konferencë për shtyp.

“Nuk patëm shumë kohë, djemtë vijnë dhe duhet të rikuperohen nga udhëtimet. Ata e njohin mirë njëri-tjetrin dhe dinë çfarë duhet të bëjnë. Ka momente emocionuese dhe të tjera zhgënjimi”, tha fillimisht Mancini.

“Siç tha Chiellini, të fokusohemi në atë që duhet të bëjmë: Italia di të luajë mirë futboll dhe ne duhet të mendojmë për fushën, jo për gjëra të tjera. Në këto play-off të gjitha kombëtaret janë të barabarta, të gjitha ndeshjet fillojnë nga 0-0 dhe gjithçka mund të ndodhë në 90 minuta. Të gjitha ndeshjet duhen luajtur. Nuk mendoj se ka ndonjë favorit. Unë nuk mendoj se ndeshja e nesërme do të zgjidhet shpejt, le të fillojmë nga 0-0, nuk ka rezultat për të përmbysur. Ata mbrohen mirë dhe kanë cilësi teknike, mos të harrojmë ata fituan në Gjermani. Ne duhet të qëndrojmë të qetë dhe të bëjmë lojën tonë. Ne provuam diçka, do të shohim gjatë lojës se çfarë mund të bëjmë”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport