Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka raportuar se ka konfirmuar 62 sulme të veçanta në objektet shëndetësore në Ukrainë, që nga fillimi i pushtimit rus gati katër javë më parë.
Organizata tha se nga këto sulme u vranë 15 persona dhe të paktën 37 u plagosën.
Ndërkohë, zyrtarët e OBSH-së në Poloni thonë se një vlerësim i shpejtë tregon se rreth gjysmë milioni refugjatë që kanë arritur atje kanë probleme psikologjike, kryesisht për shkak të traumave.
Gjithashtu, punonjësit e shëndetësisë në kufi, raportojnë për ardhjen e fëmijëve dhe nënave që vuajnë nga rraskapitja dhe dehidratimi, ndërsa shumë të moshuar vijnë pas disa ditësh udhëtim pa mjekim, veçanërisht për sëmundje të tilla si diabeti dhe presioni i lartë i gjakut.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatë (UNHCR) thekson se 3,5 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina.
Kjo shifër po i afrohet vlerësimit fillestar prej katër milionësh, ndërkaq që Agjencia pranoi sot se kjo shifër së shpejti mund të tejkalohet.


