Lajme

Cristopher Hill do të nis punën si ambasador në Serbi pas zgjedhjeve të 3 prillit

03/22/2022 13:31
nga:Astrit Gashi

Zëri i Amerikës ka njoftuar se ambasadori i ri amerikan në Beograd Christopher Hill, do t’ia nisë punës atje pas zgjedhjeve të 3 prillit.

Tashmë dihet se Hill i ka kryer të gjitha formalitetet e zgjedhjes në këtë pozitë, ndërkohë që tashmë edhe i ka bërë publike porositë e para për punën që pret ta bëjë atje.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd Dragan Simiq thotë se pak kush në Ëashington e njeh më mirë rajonin se Hill dhe se Amerika përveç ish Sekretarit Lawrence Eagleberger që gjatë karrierës së tij ka shërbyer si ambasador në Beograd (ish-Jugosllavi), nuk ka pasur në kryeqytetin serb diplomat të këtij formati.

“Dërgimi i Hill është treguesi kryesor i rëndësisë që presidenti Joe Biden i kushton këtij rajoni dhe Serbisë. Sepse dërgon mikun e tij personal dhe një njeri të këtij formati. Dua të them, pas Larry Eagleberger, ne nuk kishim një format të tillë ambasadori këtu në Beograd. Pra, vetëm ky veprim tregon shumë për atë se sa shumë interesohet Amerika për zhvillimin e marrëdhënieve të mira me Serbinë këtu. Dhe këtu ka edhe qëllime të tjera të politikës amerikane në këtë rajon që dihen: stabilizimi i marrëdhënieve në B e H dhe vazhdimi i procesit të negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. “Amerika dëshiron ndikimin e saj më të fortë dhe më të dukshëm në këtë fushë, ndaj ka marrëdhënie dhe ndikime me fuqitë e tjera të mëdha që po përpiqen të arrijnë ndikimin e tyre”, ka thënë Simiq.

Ai përmendi dhe kujtoi edhe çështje të tjera në marrëdhëniet e ndërsjella mes dy vendeve, siç është rasti i vrasjes së vëllezërve Bytyçi apo djegia e ambasadës amerikane në vitin 2008, si reagim ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës.