Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Qeverinë Kurti, në një-vjetorin e saj të qeverisjes.
Abdixhiku, në një konferencë për media, teksa e ka quajtur udhëheqjen e kryeministrit Kurti si një vit i paaftësisë, ka hedhur kritika të ndryshme ndaj këtij të fundit.
I pari i LDK-së tha se për 12 muaj, kjo qeverisje është përcjellë me popullizëm, arrogancë dhe mungesë të vizionit.
“Përgjatë 12 muajve të shkuar, kjo qeverisje e paaftë është përcjellur me popullizëm, arrogancë dhe mungesë të vizionit, është braktisur me largimin nga qëllimin kryesor që një qeveri ka, që është adresimi i halleve dhe problemeve të qytetarëve. Nga kriza e pandemisë, te ajo energjetike, te rritja alarmante e çmimeve, Qeveria Kurti ka vendosur t’i braktisë qytetarët dhe në betejën e tyre me përballueshmërinë të sillet si vështruese e krizave. Ajo ka dështuar të veprojë me kohë”, u shpreh ai.
Madje, deputeti Abdixhiku, tha se kjo qeveri ka qenë e aftë në kapjen e bordeve, kompanive publike dhe institucioneve të pavarura.
“Kjo qeveri në paaftësinë e saj, ka qenë e aftë në kapjen e bordeve, kompani publike, institucioneve të pavarura, me qëllim t’i zaptojë ato me familjarë e militantë. Kapja ka rezultuar të jetë fatale në momentin e parë që jemi përballur me energjinë apo me rritjen e çmimeve”.


