Lajme

Gjukanoviç: “Priftërinjtë serbë brohorasin tri herë “urra” për Kadyrovin (Video në tekst)

03/21/2022 18:52
nga:Astrit Gashi

Mali i Zi asnjëherë nuk ka qenë dhe as nuk është armik i Rusisë, por është kundër sjelljeve të tilla të dhunshme ilegale anti-qytetëruese, tha Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

Në një intervistë për të përditshmen greke “Kathimerini”, ai tha se ashtu si është anti-historik akti i agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, ashtu është anti-historik edhe vendimi i Kremlinit për ta klasifikuar Malin e Zi si armik të Rusisë, përcjellë Gazeta Blic.

“Të jesh sot kundër luftës që Rusia po bën kundër shtetit të pavarur evropian të Ukrainës, kundër një prej kombeve më të afërt me Rusinë, është një çështje jo vetëm e pjesë e dinjitetit kombëtar, por edhe e ndjenjës së përbashkët”, tha Gjukanoviq.

Duke folur për ndërhyrjen ruse në Ukrainë, Gjukanoviq tha se në Mal të Zi tash e 5-6 vjet, ekziston një krizë politike, e shtyrë nga qëndrimet serbomëdha dhe ndikimi rus, krizë kjo të cilës, sipas tij, nuk po i shihet fundi.

“Projekti “Bota Ruse” në Ballkan quhet “Bota Serbe dhe Mali i Zi konsiderohet si pjesë e natyrshme e këtij projekti”, tha Gjukanoviq.

Gjatë një vizite të fundit në Athinë, ai tha se “ka ideologji të dëmshme që po përpiqen në mënyrë agresive të depërtojnë në Ballkanin Perëndimor”, duke paralajmëruar se “duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm për të mbrojtur veten nga luftërat hibride dhe sulmet kibernetike”.

Sipas tij, këto ideologji mund të vërehen qartazi.

“Këtë nuk e shohin vetëm ata që nuk dëshirojnë të shohin. Përpjekja për grusht-shtet ishte vëtëm një paralajmërim për tmerret që po i shohim në Ukrainë. Rusia po rinovon plotësinë e saj historike, duke mbledhur “Botën Ruse” rusët, bjellorusët dhe rusët e vegjël. Ndërsa Mitropoli i Kishës Serbe në Mal të Zi në të njejtën kohë deklaron se ngjarjet në Ukrainë janë pasoja të mosbesimit në Zot dhe se Mali i Zi është i projektuar të jetë një Ukrainë e vogël. Priftërinjtë serbë në rrjetet sociale brohorasin tri herë urra për presidentin çeçen Kadyrov, i cili dërgoi forcat e tij speciale në Kiev. Forcat pro-ruse në Serbi, Mal të Zi dhe Republika Srpska po organizojnë mitingje në mbështetje të Putinit dhe festojnë “bëmat” e ushtrisë ruse. Infrastruktura mediatike, me mbështetje të fuqishme financiare për një veprim të tillë, që moti është vendosur në rajon. Qendrat janë në Beograd dhe Banja Llukë, nga ku aktiviteti shtrihet në Mal të Zi dhe në gjithë rajonin”, tha Gjukanoviq.

Ai shtoi se Beogradi është një nga kryeqytetet e pakta evropiane, në mos i vetmi që nuk e ka dënuar agresionin rus dhe që nuk i është bashkuar politikës së sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, përkundër faktit se është kandidat për anëtarësim në union.