Sporti

Në maj pritet të nis rigjykimi ndaj kreut të FFK-së, Agim Ademi i akuzuar për detyrim

03/21/2022 16:31
nga:L J

Më 12 maj të këtij viti pritet të nis rigjykimi ndaj Agim Ademit, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), i cili bashkë me Muharrem Ramën akuzohet se më 2012 kishin kërcënuar dhe sulmuar Dritëro Kadollin, duke i kërkuar të japë 30 mijë euro ose një “BMW X5”.

Një gjë të tillë, për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj.

Gjykatësi Sadikaj, më 7 tetor 2021 kishte caktuar seancën për fillimin e rigjykimit, mirëpo kjo seancë ishte shtyrë në mungesë së të dëmtuarit Dritëro Kadolli.

Shtyrjen e kësaj seance, e kishte kërkuar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ademi, avokati Florim Shefqeti, me arsyetimin se i mbrojturi i tij nuk ka pranuar ftesë të rregullt nga gjykata dhe sipas tij për këtë arsye nuk ka pasur mundësi të pajiset me shkresat e lëndës nga avokati paraprak.

Lënda fillimisht kur ishte kthyer në rigjykim ka qenë duke u gjykuar në Departamentin për Krime të Rënda nga gjykatësja Medie Bytyqi, e kjo e fundit për “Betimi për Drejtësi” po ashtu ka pohuar se kjo lëndë tanimë ka kaluar Departamentin e Përgjithshëm.

Mirëpo, për shkak se është parashkruar vepra penale e ushtrimit të ndikimit, për të cilën edhe ishte shpallur aktgjykim refuzues në korrik të 2019-ës, lënda tani ka kaluar në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ka më shumë se një vit nga vendimi i Supremes kur kjo lëndë ishte kthyer në rigjykim, por deri më tani nuk është mbajtur asnjë seancë e rigjykimit ndaj Ademit dhe Ramës.

Një tentativë për fillimin e rigjykimit ishte bërë më 24 mars 2021 kur ishte caktuar një seancë për këtë rast, por ajo seancë kishte dështuar të mbahet për shkak të mungesës së të akuzuarve.

Ndryshe, aktakuza ndaj Ramës dhe Ademit ishte ngritur më 14 janar 2014, nga prokurori i EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ilaz Beqiri.

Sipas pikës së parë të aktakuzës, Ademi dhe Rama akuzohen se gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadolli, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të padrejtë në shumën prej 30 mijë euro, apo një veturë të tipit “BMW X5”.