Lajme

Pse Perëndimi s’po ia plotëson kërkesën Zelenskyt për bllokimin e qiellit mbi Ukrainën?

03/19/2022 00:31
nga:Gazeta Blic

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera anëtare të NATO-s kanë përmbushur një sërë kërkesh të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që ndihmojnë në pengimin e forcave ruse.

Por, njëra nga kërkesat që Perëndimit po i bëhet vazhdimisht nga Zelensky e që akoma nuk është përmbushur, është ajo e bllokimit të qiellit ukrainas për avionët rusë.

Perëndimorët nuk i janë përgjigjur kësaj kërkese të Zelenskyt, pasi një përgjigje pozitive e kësaj mund të çonte në përshkallëzimin e mëtejmë të luftës, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.

Një zonë e ndaluar fluturimi është një zonë ku disa avionë nuk mund të fluturojnë për arsye të caktuara. Në kuadrin e një konflikti siç është rasti me Ukrainën, kjo do të nënkuptonte një zonë ndalimi në të cilën avionët rusë nuk lejoheshin të fluturonin, për t’i penguar ata të kryenin sulme ajrore kundër Ukrainës.

Problemi me zonat ushtarake të ndalim-fluturimit është se ato duhet të zbatohen nga një fuqi ushtarake. Nëse një avion rus fluturon në një zonë të ndaluar fluturimi të NATO-s, atëherë forcat e NATO-s do të duhet të ndërmarrin veprime kundër atij avioni. Këto masa mund të përfshijnë gjuajtjen e avionit nga qielli. Kjo, në sytë e Rusisë, do të ishte një akt lufte nga NATO dhe ka të ngjarë të përshkallëzonte konfliktin.