Lajme

Berisha i kundërpërgjigjet Ambasadës ruse: Akuzat ruse, akuza provokuese të stilit sovjetik

03/18/2022 21:06
nga:Astrit Gashi

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar sot pas akuzave të Ambasadës ruse në Tiranë, sa u përket deklaratave të tij të një dite më parë për projektet me gjigantin e gazit “Gazprom”.

Reagimin e Ambasadës ruse ai e konsideron si “provokativ të stilit sovjetik të përfaqësuesve të diktatorit Putin”.

“Gazprom dhe qeveria ruse bënë çfarë kishin në dorë dhe përdorën të gjitha linjat korruptive të gazit të tyre për të bllokuar projektin e TAP. Në javën e parë të gushtit të vitit 2011, një mik i imi biznesmen i njohur turk më solli nga presidenti i Gazprom një mesazh”, shkruan Berisha në Facebook.

Sipas tij, “në rast se ai do të hiqte dorë nga projekti i TAP-it dhe të mbështeste projektin ITGI, i cili anashkalonte Shqipërinë dhe kalonte në trajektoren Turqi-Greqi-Itali dhe që furnizohej kryesisht me gaz rus, pala ruse do të investonte shuma të mëdha parash në Shqipëri”.

“Investimin prej 4.1 miliardë dollarë në termocentrale të mëdha gazi në Seman. Këto do vendoseshin në një takim që do zhvillohej midis meje dhe presidentit të Gaspromit. Oferta u refuzua për arsye politike nga ana ime. Nuk pranova investimet e Gasprom-it se besoja, dhe koha më dha të drejtë, se ato nuk ishin në interes të vendit tim”, shkroi Berisha.