Lajme

Tre kandidatë u tërhoqën nga gara për drejtor të RTK-së

03/18/2022 20:09
nga:Astrit Gashi

Hysen Hundozi, Fadil Hoxha dhe Fisnik Dërguti Janë tërhequr nga gara për drejtor gjeneral të Radiotelevizionit të Kosovës dhe atë vendimin e tyre e kanë kumtuar sot.

Hysen Hundozi në një postim në Facebook ka shkruar se poentimi i anëtarëve të bordit të RTK-së është “votim i orekstuar”. Tutje ai ka shtuar se nuk do të marrë pjesën nesër në intervistim.

“Dëshmitë e fundit skandaloze mbi votimet e orkestruara grupore të një grupi anëtaresh të Bordit në favor të një kandidati te caktuar, te cilat u publikuan sot, janë vetëm disa nga parregullsitë e shumta ne këtë proces”, shkroi ai.

Hundozi ka shkruar se reagimi i bërë sot nga kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini, është ofendim.

“Pas prononcimit tuaj të sotëm publik për zhvillimet e fundit rreth konkursit për Drejtor të Përgjithshëm te RTK-së, në të cilin ju drejtoni një sërë akuzash deri në shkallë ofendimi ndaj kandidatëve të këtij konkursi si dhe për shkak të vlerësimit tim se ky proces është karakterizuar me mungesë të konsiderueshme të transparencës, objektivitetit, ligjshmërisë e profesionalizmit, ju njoftoj se unë Hysen Hundozi, kandidat në këtë konkurs, nuk do të marrë pjesë në intervistën e nesërme me gojë”, thuhet në reagimin e Hunodzit.

Krejt në fund ai ka theksuar se “luftën ligjore për këtë proces do ta bëjë në instanca të tjera”.