Kancelari austriak, Karl Nehammer, në Konferencën e përbashkët më Kryeministrin, Albin Kurti, i ka dhënë mbështetje Kosovës për anëtarësimin në BE, duke thënë se për këtë do të angazhohet.
Ai ka thënë se këtë proces do ta përshpejtojnë edhe me Gjermanisë si aleate e madhe e Kosovës.
“Edhe kryeministri e përmendi që Austria të jetë urë-lidhëse me BE-në. Kemi zhvilluar biseda të mira se si mund të përshpejtojmë procesin, prandaj do të jetë e rëndësishme për ne që edhe Republikën Federale të Gjermanisë ta përfshijmë, sepse edhe ata janë miq të Kosovës që ta përshpejtojmë anëtarësimin në BE. Besoj që bashkë do t’ia dalim, sepse për Austrinë Ballkani Perëndimor është një pikë gjeostrategjike dhe gjeopolitike”, tha ai.
“Kemi lidhje historike me njëri-tjetrin dhe është e rëndësishme që edhe në të ardhmen të jemi të lidhur së bashku. Për këtë Kosova duhet të jetë brenda Bashkimit Europian dhe për këtë duhen perspektiva të mëdha”, shtoi Nehammer.
Nehammer tha se i di problemet e Kosovës me Serbinë, por se dy vendet duhet të shikojnë kah e ardhmja.
Ai në konferencën ka folur për situatën në Ukrainë dhe për kërcënimet për një konflikt të mundshëm në Kosovë.
Nehammer ka thënë se Rusia ka sulmuar Ukrainën, dhe se në këtë situatë duhet shikuar për ndikimin që mund të ketë dhe si mund të ndihmojnë shtetet njëra tjetrën.
“Federata ruse e ka sulmuar Ukrainën dhe ne duhet të shohim për ndikimin që mund të ketë, dhe si mund të ndihmojmë njëri – tjetrin. Është e rëndësishmes që Austria të jetë urë-lidhëse me Bashkimin Evropian, ne kemi zhvilluar biseda se si mund ta përshpejtojmë procesin. Ne kemi lidhje historike njëri me tjetrin, dhe është e rëndësishme të jemi të lidhur edhe në të ardhmen. Austria paraqet kontingjentin më të madh jo të NATO-s që është në Kosovë. Është e rëndësishme që edhe Bosnja e Hercegovina edhe Kosova ta dinë se nuk janë vetëm, prandaj nëse ka kërcënime të dihet të reagohet shpejtë, këto nuk janë vetëm fjalë”, tha ai.
Kancelari austriak po ashtu ka thënë se është i gëzuar për bashkëpunimin që ka me Kosovën, duke thënë se pret që edhe Kurti ta vizitojë Austrinë.
Ndërsa, kryeministri Kurti ka pohuar se në takim me kancelarin austriak kanë biseduar për marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Austria ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë. Biseduam për marrëdhëniet tona, Qeveria jonë është e orientuar drejt reformave. Biseduam për situatën politike. Potencova rëndësinë për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës. Kërkova nga kancelari që të shtyjë përpara procesin e liberalizimit të vizave”, theksoi ai.


