Lajme

14 vjet nga vdekja e tij/ Kurti e kujton policin ukrainas i cili shërbeu në Kosovë

03/18/2022 12:08
nga:Genita C

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka kujtuar policin nga Ukraina, Ihor Kinal cili ndërroi jetë para 14 vitesh, raporton GazetaBlic.

Kurti përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook” u shpreh se protestuesit që vinin nga radhët e strukturave ilegale të Serbisë, kishin me vete armë dhe mjete me të cilat sulmuan policët dhe si pasojë e plagëve të rënda, ndërroi jetë , 26 vjeçari ukrainas,

Kurti uron që familja e tij të jenë shëndoshë mirë dhe u solidarizua me popullin e Ukrainës që është duke u sulmuar nga Rusia.

POSTIMI I PLOTË:

in Memoriam
Sot u mbushën 14 vjet nga vdekja e Ihor Kinal. Ai ishte polic nga Ukraina që po shërbente në Kosovë.

Një muaj pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, Gjykata e Qarkut dhe ajo Komunale në veri të Mitrovicës u uzurpuan nga rreth 300 protestues të armatosur serbë. Për lirimin e këtyre objekteve, kishin ndërhyrë forcat ndërkombëtare të KFOR-it dhe të UNMIK-ut.

Protestuesit që vinin nga radhët e strukturave ilegale të Serbisë, atë ditë kishin me vete armë dhe mjete të tjera shpërthyese me të cilat sulmuan policët. Ndër 88 ushtarakë e zyrtarë policorë, të KFOR-it e të UNMIK-ut, të cilët u plagosën apo lënduan ishte edhe polici i UNMIK-ut nga Ukraina, Ihor Kinal. Me 18 mars 2008, një ditë pas sulmit, 26 vjeçari ukrainas vdiq si pasojë e plagëve të rënda të marra me 17 mars.

Ai la pas nënën, babain dhe motrën, dhe varri i tij sot ndodhet në afërsi të qytetit Ternopil, në një fshat në perëndim të Ukrainës. Në shkollën e tij të mesme, i është ngritur një memorial përkujtimor në nderim të shërbimit të tij në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Grupe kriminale të strukturave ilegale të sigurisë së Serbisë kryen sulmin me 17 mars 2008. Ky rast më vonë është trajtuar edhe nga EULEX-i i cili pat ngritur aktakuzë ndaj gjashtë të dyshuarve: Marjan Ilinçiq, Zoran Çaviq, Dragan Milojeviq, Aleksandar Aksentijeviq, Nebojsha Joviq dhe Avni Krasniqi.

Teksa përkujtojmë dhe nderojmë policin e ri ukrainas Ihor Kinal, urojmë që familja e tij të jenë shëndosh e mirë dhe ritheksojmë admirimin dhe solidaritetin tonë me popullin e Ukrainës dhe luftën e tij çlirimtare kundër agresionit e invazionit rus.