Lajme

Jansha: “Ushtria ruse nuk do ta pushtojë kurrë Kievin”

03/18/2022 01:24
nga:Astrit Gashi

Ushtria ruse nuk do ta pushtojë kurrë Kievin, tha kryeministri slloven Janez Jansha, duke folur për përshtypjet e tij gjatë qëndrimit në kryeqytetin ukrainas, të cilin e vizitoi të martën së bashku me kryeministrat polakë dhe çekë, kur foli me udhëheqesit ukrainas, raporton Gazeta Blic.

Duke folur për televizionin slloven, Jansha tha se vizita e tij në Kiev ishte një vizitë trimëruese për udhëheqesit ukrainas.

“Pikësëpari, ajo vizitë ishte një tregues se ne nuk e kemi hequr dorë nga Ukraina”, theksoi Jansha, duke shtuar se diplomatë të shumtë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare u tërhoqën nga kryeqyteti ukrainas edhe para fillimit sulmit të Rusisë kundër Ukrainës.

“Për ta ishte një shenjë se nuk janë, se nuk bëhej fjalë vetëm për mbështetje nga larg, por se dikush besonte se do të mbroheshin dhe do të fitonin”, shtoi Jansha.

Sipas tij, sulmet në qendër të Kievit janë relativisht të rralla dhe qyteti nuk është i rrethuar.

“Kiev po sulmohet nga lindja dhe perëndimi, por forcat që sulmojnë qytetin janë shumë të dobëta sa për ta pushtuar atë. Ushtria ruse nuk do ta pushtojë kurrë Kievin”, theksoi kryeministri slloven.