Porositë nga Bashkimit Evropian që Serbia të vë në përputhje politikën e saj me politikën e jashtme të Unionit dhe që ti bashkohet sanksioneve kundër Rusisë, po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Komisioneri i lartë i BE-së për politikë të Jashtme, Josep Borell, bëri të qartë se do të këmbëngulët për një gjë të tillë, e porosinë se ndikimi rus në rajon është brengosës për BE-në, në Beograd sot e përcolli edhe kancelari i ri i Austrisë, raporton Gazeta Blic.
Ishte kjo vizita e parë e Karl Nehammerit në Beograd në cilësinë e kancelarit dhe ai aty bëri të qartë se është e saktë se Unioni ka qenë i brengosur, për faktin se Rusia ka pasur ndikim të madh në rajon.
“Është obligim dhe interes i një shteti anëtar të BE-së që të përcjellë një sinjal të qartë se gjithë duhet të jemi së bashku dhe se duhet të bashkëpunojmë për të gjetur zgjidhje për problemet që duhet të tejkalojmë”, tha Nehammer.
Shumë më i ashpër dhe më konkret ishte Borell, i cili tha se opinioni publik në Serbi ende po bie pre e dezinformatave të propagandës ruse dhe se do të këmbëngul që Beogradi të harmonizojë politikën e vet me politikën e Jashtme të BE-së.


