Lajme

KPK-ja pret që të hetohen takimet e prokurorit Hamiti me Shaban Kilajn

03/17/2022 15:47
nga:N M

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) është vënë në lëvizje pas raportimit të Paparacit për takimet e prokurorit Armend Hamiti me Shaban Kilajt, një njeriu të njohur si mashtrues.

Në një sqarim të lëshuar për media, Këshilli tha se është duke analizuar përmbajtjen e raportimit të Paparacit.

“Pas shkrimit të publikuar në mediumin ‘Paparaci.com’, me titull ‘Kokë me më kokë me ‘kriminelin’—lidhjet e prokurorit Armend Hamiti me Shaban Kilaj’, Këshilli Prokurorial i Kosovës, njofton opinionin publik se është duke e analizuar përmbajtjen e shkrimit që atakon prokurorin në fjalë”, tha KPK-ja, në një sqarim për media.

KPK-ja, po ashtu deklaroi se është në pritje që autoritetet kompetente brenda sistemit prokurorial të nisin hetimet në lidhje me përgjegjësinë disiplinore të prokurorit Hamiti.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës pret që autoriteti kompetent të ndërmarrë veprime në përputhje me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore për Prokurorë dhe Gjyqtarë dhe nëse ka shkelje eventuale ligjore, KPK-ja do të veprojë në bazë të kompetencave të përcaktuara me ligj”, ka thënë KPK-ja.

Paparaci raportoi të mërkurën se si një person që njihet si mashtrues duke u thirrur si njëri i Amerikës, rezulton të jetë njëri i afërt me prokurorin e krimeve të rënda, Armend Hamiti.

Shaban Kilaj, është dënuar për kontrabandim me migrantë. Është i dënuar për mashtrim. Është i dënuar për kërcënim të një zyrtari policor të Kosovës. Po ashtu është i dënuar për falsifikim të një shume të konsiderueshme dollarësh amerikanë.

Megjthatë, krejt këto vepra penale, nuk kanë qenë pengesë që ai të ndërtojë një relacion të afërt me prokurorin e Departamentit të Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Armend Hamiti.

Mediumi online Paparaci, ka siguruar prova të takimeve dhe raporteve të të dënuarit Shaban Kilaj me prokurorin e krimeve të rënda, Armend Hamiti, i cili i ka hyrë garës për Kryeprokuror të Shtetit.

Hamiti, është kandidati që po përkrahet nga pushteti i Vetëvendosjes së udhëhequr nga Albin Kurti. Ky pushtet nuk po lë “gurë” pa lëvizur me qëllim që i pëlqyeri i pushtetit të bëhet kryeprokuror.

Fotografitë dhe dëshmitë e siguruara nga Paparaci tregojnë se Hamiti dhe Kilaj janë në lidhje të afërt dhe diskutojnë edhe për raste penale të cilat i ka në hetim dhe gjykim prokurori, Hamiti.

Aksioni ‘Brezovica 3’ – I respektuari nga familja presidenciale futet në burg, dyshohet për ryshfet