Stafi administrativ i zyrtarëve të Gjykatës dhe Prokurorisë së Pejës janë duke e vazhduar ende grevën e tyre.
Se greva e zyrtarëve po vazhdon në Gjykatën Themelore të Pejës, për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Tringa Zhuti. Kurse për vazhdimin e grevës në Prokurorinë Themelore të Pejës, lajmin e ka konfirmuar Valona Kyqyku, kryetare e këshillit grevist.
Ndryshe, më 15 mars 2022, edhe stafi administrativ i Gjykatës Themelore në Pejë i është bashkëngjitur grevës.
Kurse, zyrtarët administrativ të Prokurorisë Themelore në Pejë kanë hyrë në grevë që nga 7 marsi.
Greva e administratës pritet të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Ndryshe, më 1 mars fillimisht ka nisur grevën stafi administrativ i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku në konferencën për medie të mbajtur po atë ditë nga Naim Rrustemi, kryetar i Shoqatës Sindikale të gjykatës në fjalë, u tha se greva nuk ka të bëjë me çështje politike, se po ndodhë pa vullnetin e tyre dhe se do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
“Kërkesat tona janë: Aprovimi i Ligjit për punëtorët e Administratave të Gjykatave dhe Prokurorive duke u bazuar në Projektligjin për Plotësim dhe Ndryshim të Ligjit për Zyrtar Publik; Përafrimi i pagave të punëtorëve të administratës së gjykatave dhe prokurorive në raport me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve; Pagesa lineare nga 150 euro për çdo punëtor të administratës së gjykatave dhe prokurorive deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga; Pagesa e shujtës ditore prej 3 euro dhe pagesa e udhëtimit prej 3 euro”, ka thënë Rrustemi.
Pas Gjykatës Themelore në Prishtinë, grevën e nisi edhe administrata e Gjykatës së Apelit dhe i gjithë stafi i administratës në Pallatin e Drejtësisë.
Greva për momentin ka pezulluar seancat gjyqësore, në përjashtim të rasteve të parabaurgimit dhe atyre të dhunës në familje.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), përmes një komunikate për medie, të martën njoftoi se për momentin nuk e përkrah grevën e filluar nga administrata.
Në anën tjetër, Ministria e Drejtësisë ka ftuar organizatorët që ta rishqyrtojnë vendimin për hyrje në grevë dhe të bashkëpunojnë me institucionet kompetente.


