Lajme

Driton Selmanaj: Si LDK s’kemi marrë ende qëndrim, personalisht jam ‘PËR’ tërheqjen e parave nga Trusti

03/17/2022 10:57
nga:Genita C

Rritja e çmimeve esenciale në Kosovë ku përfshihet nafta, energjia elektrike e të tjera, bëri që të propozohet sërish mundësia e tërheqjes së 30% nga Trusti Pensional.

Ideja për këtë ka ardhur nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Bekim Haxhiu i cili ka kërkuar plotësim ndryshimin për ligjin e Trsutit e ku më pas qytetarëve të Kosovës do t`iu mundësohej tërheqja e një shumë të të hollave nga kursimet pensionoje.

Në parim idenë e Haxhiut e kanë mbështetur partia e tij, por edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Qëndrim për këtë nuk ka dhënë ende partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, pavarësisht se Gazeta Blic ka kohë që kërkon një përgjigje nga zyrtarët e këtij subjekti politikë.

Lidhur me këtë temë, GazetaBlic ka kontaktuar me deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj.

Selmanaj u shpreh se si grup parlamentar nuk e kanë diskutuar ende një mundësi të tillë por, do ta  trajtojnë dhe do të marrin një vendim kur hyn  në procedura në Kuvend.

“Si grup parlamentar nuk e kemi diskutuar akoma, në momentin kur kjo hyn dhe diskutohet në Kuvendin e Kosovës ne e marrim një vendim“, tha ai.

Në anën tjetër, Selmanaj dha edhe mendimin e tij personal duke u shprehur se një tërheqje e caktuar nga Trusti është e nevojshme për qytetarët.

Kjo tërheqje e parave nga Trusti Pensional sipas Selmanajt është e nevojshme për shkak të situatës në të cilën gjendemi, ku rritja e çmimeve ka ndikuar në gjendjen e rënduar të qytetarëve.

“Duke marrë parasysh situatat e fundit që kanë rëndruar gjendjen e qytetarëve me rritjen e çmimeve, unë mendoj se duhet të bëhet një tërheqje e caktuar e parave nga Trusti.Një përqindje e caktuar do të ishte shumë në konsideratë pasi ne si shoqëri jemi duke kaluar një situatë të jashtëzakonshme“, përfundoi Driton Selmanaj./GazetaBlic/

AAK: Tërheqja e parave nga Trusti ide e jona – Megjithatë e përkrahim nismën e Bekim Haxhiut

PDK-ja paralajmëron hapin e radhës për 30 për qindëshin e Trustit