Lajme

Polonia propozon që në Ukrainë të krijohet një mision paqeruajtës si në Kosovë, SHBA kundër

03/17/2022 00:44
nga:Gazeta Blic

Ministri i Mbrojtjes i Polonisë ka thënë se në takimin e NATO-s ka paraqitur propozimin e vendit të tij që aleanca të krijojë një mision humanitar dhe paqeruajtës në Ukrainë, të ngjashëm me atë në Kosovë, raporton Gazeta Blic.

Ministri Mariusz Blaszczak foli në Bruksel pas bisedimeve midis ministrave të Mbrojtjes të aleancës në lidhje me luftën në Ukrainë.

Blaszczak tha se ai paraqiti një propozim të misionit të paqes, që zëvendëskryeministri i Polonisë, Jaroslaw Kaczynski, bëri të martën në Kiev. Propozimi do të diskutohet më tej, tha ai.

NATO ka udhëhequr një operacion për mbështetjen e paqes në Kosovë, që nga qershori 1999, në mbështetje të përpjekjeve më të gjera ndërkombëtare për të ndërtuar paqen dhe stabilitetin në zonë.

Gjatë një vizite mbështetëse në Kiev, së bashku me kryeministrat e Polonisë, Çekisë dhe Sllovenisë, Kaczynski tha se ai mendon se nevojitet një mision paqeruajtës i NATO-s në Ukrainë ose “ndoshta një strukturë më e gjerë ndërkombëtare, por një mision që gjithashtu do të jetë në gjendje të mbrohet dhe kjo do të funksionojë në Ukrainë”.

Ai tha se do të ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe nuk do të kishte ndonjë karakter armiqësor.

Megjithatë, zëdhënësi i Stejt Departmentit amerikan, Ned Price, duke e komentuar propozimin e Polonisë për mision paqësor në Ukrainë, deklaroi se prania e ushtarëve amerikanë në Ukrainë vetëm sa do ti kontribuonte vazhdimit të luftës.

“Jemi të përqendruar në përfundimin e këtij agresioni brutal, dëshirojmë ti shmangemi të gjitha veprimeve, të cilat mund ta zgjasin apo ta zgjerojnë këtë luftë”, tha Price.