Lajme

Këta janë disa nga emrat që ministrja Gërvalla i ka larguar nga puna

03/16/2022 12:19
nga:Gazeta Blic

Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, ka marrë vendim që të ndërpresë marrëdhënien e punës 11 punonjësve të kësaj ministri.

Ky vendim thuhet të jetë marrë në vazhdën e masave për vendosjen e ligjshmërisë në administratën publike të Kosovës.

Gazeta Blic ka arritur që të siguroj emrat e disa prej zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Blerim Canaj e Enver Buqaj, janë dy të larguarit nga puna, merr vesh Gazeta Blic nga burime brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Sipas vendimit të MPJ-së, thuhet se “personat e liruar sot nga detyra janë punësuar pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit në shërbimin e jashtëm, të përcaktuara me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës dhe as procedurave dhe rregullave të pranimit sipas Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, i zbatueshëm në kohën kur këta persona janë emëruar në shërbimin e jashtëm. Ata kanë hyrë dhe janë konsideruar anëtarë të shërbimit të jashtëm përmes vendimeve arbitrare”.

Njoftimi i plotë i MPJ-së:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pas një analize të detajuar ligjore, sot ka ndërprerë marrëdhëniet e punës së 11 punonjësve të kësaj ministrie.Ky vendim është marrë në vazhdën e masave për vendosjen e ligjshmërisë në administratën publike të Kosovës dhe anulimit të vendimeve të jashtëligjshme, të marra në të kaluarën.Personat e liruar sot nga detyra janë punësuar pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit në shërbimin e jashtëm, të përcaktuara me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës dhe as procedurave dhe rregullave të pranimit sipas Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, i zbatueshëm në kohën kur këta persona janë emëruar në shërbimin e jashtëm. Ata kanë hyrë dhe janë konsideruar anëtarë të shërbimit të jashtëm përmes vendimeve arbitrare.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është duke shqyrtuar edhe masat që duhet të ndërmerren ndaj zyrtarëve përgjegjës për punësimin e paligjshëm të personave të mësipërm.Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e vendosur në zotimin e saj për vendosjen e ligjshmërisë në vend. Keqpërdorimi i parasë publike dhe punësimet e paligjshme nuk kanë vend në administratën publike dhe do të ndalen dhe luftohen me vendosmëri.