Lajme

Ekspertët thonë se 190 milionë euro të ndara nga qeveria si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve nuk mjaftojnë

03/16/2022 13:09
nga:Q R

Si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve qeveria e Kosovës ka ndarë  rreth 190 milionë euro vetëm në 4 muajt e fundit, për të cilat ekspertët vlerësojnë se janë të pamjaftueshme krahas krizës ekonomike në vend, shkruan Gazeta Blic.

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thotë për ‘Gazeta Blic’, se ndihma që qeveria ka ndarë për tejkalimin e krizës ekonomike nuk mjafton dhe se kjo e fundit nuk po bënë mjaftueshëm.

Derisa flet për krizën ekonomike, ai shton se tani është koha që qeveria t’ia zgjat dorën qytetarëve për ndihmë.

“Është e vërtetë që Kosova nuk mund të jetë e anashkaluar nga efektet negative të krizës globale, ajo çka e dallon Kosovën është fakti që Kosova ka hyrë krizë më krizë. Shumë vende të rajonit kanë ndërmarr hapa konkret, në Kosovë ka pasur pak veprime konkrete. Dëgjova nga qeveria deklarata për ndihmë të qytetarëve çka do që të bëhet nuk mjafton sepse me të vërtetë Kosova ka nevojë për ndihmë, duke pasur parasysh faktin që jemi një shoqëri e varur nga importi jemi një shoqëri që po importon inflacion. Prandaj, nuk mjafton të thuhet kemi ndarë 190  milion, sepse me të vërtetë janë shuma të vogla, krahas faktit se në Kosovë në vitet e fundit nuk ka lëvizje as të pagës minimale as të pagës në sektorin privat dhe administratë. Qytetari ka nevojë për një dialog dhe partneritet të mirëfilltë. Është koha që qeveria t’ia shtrin dorën e ndihmës qytetarit”, deklaron ai.

Kurse, profesori Universitar Muhamet Sadiku, deklaron për ‘Gazeta Blic’, se  Kosova ka nevojë për mbështetje më substanciale, për ta tejkaluar këtë krizë.

Sipas tij, rritja e produkteve bazike po i dëmton në masë të madhe ekonomitë familjare.

“Mendoj që çrregullimet janë të mëdha në tregun botëror dhe këto çrregullime janë transmetuar me kapacitet të plotë në rritjen e çmimeve në Kosovë, sidomos rritja e çmimeve të produkteve bazike i ka dëmtuar me të madhe familjet kosovare që kanë nivel të ulet të ardhura. Kjo ndoshta do të ishte si një ndihmë iniciale por Kosova ka nevojë për mbështetje më substanciale duhet shqyrtuar edhe mundësi tjera në mënyrë që njerëzit të kenë më të lehtë këtë situatë”, deklaron ai.

Kryeministri Albin Kurti, dje gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ku po diskutohej për rritjen e çmimeve bazë, ka folur edhe për rritjen e çmimeve brenda natës nga disa markete, por edhe për çmimin e derivateve.

Kurti tha se rritja e çmimit të vajit, ishte thjeshtë një zhvatje.

“Një litër vaj është shitur 1.50 euro, rritja e tillë artificiale është zhvatje që nuk bën të lejohet. Të gjithë ata shitës që manipuluan me çmime në kurriz të qytetarëve duhet të ndëshkohen e do të ndëshkohen”, tha Kurti.

Sipas tij Qeveria e Kosovës ka shtuar kontrollin dhe mbikëqyrjen.Sa i përket rritjes së çmimeve Kurti tha se është shqetësim i çdo qytetari dhe se Qeveria është duke punuar në mbështetje të tyre.

“Rritja e çmimeve është shqetësim i çdo qytetari. Ne si Qeveri jemi duke punuar në vazhdimësi që nga fillimi i mandatit qeverisës që të mbështesim qytetarët e sidomos ata që janë më të cenueshëm”, vlerëso ai.

Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri ka kërkuar të ndërmerren disa masa konkrete karshi situatës me rritjen e çmimeve në vend.

Tahiri i pyeti deputetët nëse janë të vetëdijshëm për çmimin e bukës e qumështit.

“Si grup parlamentar, ne kërkojmë që të ketë masa konkrete që e prekin qytetarin e Kosovës, që e prek njeriun e varfër, secilin individ që është prekë nga kjo krizë o njerëz? A jeni të vetëdijshëm se sa është bë buka e qumështi?” tha ai.

Kurse, Deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, në debatin parlamentar për rritjen enorme të çmimeve, ka thënë se është Lidhja Demokratike e Kosovës i kërkon qeverisë pako ekonomike.

Sipas saj, është koha që dora e shtetit të ngritet për ndihmën e qytetarëve.

“Është koha për pako fiskale dhe ekonomike. Ne kemi propozime konkrete të cilat do t’i paraqesim në seancën e sotme. Dora e shtetit duhet të ngrihet për t’i ndihmuar qytetarët, në mënyrë që të lehtësohet kriza me të cilen po përballen”, ka thënë Bajrami.

Deputetët votojnë në parim për deklarimin dhe kontrollin e prejardhjes së pasurisë dhe dhuratave