Organizatat e shoqërisë civile KDI, D4D, D+, FOL dhe Çohu përmes një konference për medie kanë kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta miratojnë Projektligjin për financimin e subjekteve politike.
Në emër të shoqërisë civile foli Eugen Cakolli, i cili tha se kjo është legjislatura e tretë që ky Projektligj sillet në Kuvend, por që ka dështuar të miratohet.
“Kuvendi i Kosovës pritet që sot ta shqyrtojë Projektligjin për financimin e subjekteve politike, që në fakt është hera e tretë, përkatësisht legjislatura e tretë që ky Projektligj vjen në procedurë ligjvënëse, mirëpo si rezultat i dështimeve për miratimin e tij, ende nuk kemi projektligj për financimin e subjekteve politike i cili i përshtatet kontekstin e aktualitetit politik”, tha ai.
Cakolli tha se ky dështim ka cenuar transparencën dhe llogaridhënien financiare të subjekteve politike, teksa thotë se ato marrin 4.2 milionë euro nga buxheti i shtetit.
“Të cilat marrin mbi 4.2 milionë euro nga paratë e buxhetit të shtetit dhe për më tepër mosmiratimi i këtij projektligji bie ndesh edhe me obligimet që Kosova ka marr për procesin e saj integrues. Për shkak të dështimeve të kuvendit për të zgjedhur auditor të duhur për vite të tëra nuk ka pasur auditim në kohë të financave të subjekteve politike. Me projektligjin e ri kompetenca e auditimit kalon nga zyra për regjistrim e subjekteve politike dhe certifikim. Zyrë kjo e cila do të gëzoj një pavarësi me të madhe financiare por edhe funksionale brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.
Cakolli tha se ky projektligj reflekton edhe opinionin komisionit të Venedikut dhe është në përputhje me këtë opinion.
“Zvarritja e mëtutjeshme e këtij projektligji do të minoj besimin e publikut mbi partitë politike sidomos në kuptim të mjeteve që ato marrin nga buxheti i shtetit dhe mënyra si ato i shpenzojnë këto mjete dhe donacioneve të shumta që ato marrin veçanërisht ngjatë periudhave zgjedhore. Votimi në parim i këtij projektligji do t’i hap rrugë një periudhe dy mujore për amendamentimin e tij nëpër komisione. Ne si organizata e shoqërisë civile vlerësojmë që të gjitha subjektet politike pozitë apo opozitë duhet të arrijnë një konsensus për miratimin e këtij projektligji”, tha ai.
“Ligji si i tillë ka hapësire për t’u avancuar dhe më tutje sidomos duke futur praktika të mira të xhirollogarive bankare të cilat janë të qasshme në kohë online të paktën gjatë periudhës të fushatës zgjedhore”, tha Cakolli.


