Lajme

Gjykimi ndaj Gucatit e Haradinajt, miratohet pjesërisht kërkesa e ZPS-së që mbrojtësit të urdhërohen për zbulimin e çdo prove të mëtejshme

03/16/2022 10:05
nga:N M

Trupi gjykues i kryesuar nga Charles L Smith, e ka miratuar pjesërisht kërkesën e Zyrës e Prokurorit të Specializuar (ZPS), që kishte kërkuar të urdhërohet mbrojtja e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt që të zbulojnë çdo provë të mëtejshme që ata kërkojnë të shqyrtohen për dënim deri më 11 mars 2022, në orën 16:00.

Me anë të vendimit, trupi gjykues ka urdhëruar që deri më 14 mars 2022 në orën 16:00, mbrojtja e Gucatit të zbulojë çdo provë shtesë që dëshiron të paraqesë në lidhje me dënimin dhe mbrojtja e Haradinajt të zbulojë një përmbledhje të detajuar të çdo prove shtesë që dëshiron të paraqesë në lidhje me dënimin.

Po ashtu, trupi gjykues ka udhëzuar palët që të angazhohen në diskutime inter partes me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje mbi faktet që kanë të bëjnë me dënimin dhe/ose të përcaktojnë dhe njoftojnë Panelin për çdo fakt të rënë dakord në fillim të parashtresave për dënimin.

“Në rast se Palët nuk mund të arrijnë një marrëveshje, udhëzon palët që të bëjnë parashtresa gjatë kohës së caktuar për dënimin lidhur me: (i) nëse një palë është e autorizuar të paraqesë informacionin përkatës ose të thërrasë prova shtesë që nuk janë paraqitur gjatë gjykimit për qëllime të dënimit; dhe (ii) nëse po, në çfarë kushtesh”, thuhet në fund të vendimit të tyre.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës./BetimipërDrejtësi

Civilë e të maskuar, policia arreston dy persona afër objektit të MPB, kërkoheshin nga INTEPOL