Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi ka pritur në takim sindikalistët e Ferronikelit.
Këtë e ka bërë të ditur ai përmes një postimi në Facebook e ku i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë një zgjidhje për këta punëtoret të cilët që nga tetori i vitit të kaluar nuk janë duke punuar.
Njoftimi i plotë:
Një gjigant si Ferronikeli, ka qenë dhe mbetet krenaria e vendit tonë. Fatkeqësisht, sot po kalon nëpër një gjendje shumë të rëndë për shkak të krizës me energjinë elektrike. Kryetari i Sindikatës së Ferronikelit, Fehmi Nika dhe bashkëpunëtorët e tij sot gjatë takimit që patëm, më informuan se qindra vende të punës janë të rrezikuara seriozisht.
Punëtorët e kësaj fabrike kërkojnë ndihmë dhe mbështetje, të cilat mund të ofrohen, nëse Qeveria vendosë të dëgjoj kërkesat e tyre e të mos mbyllë sytë. Në këtë periudhë të sfidave të shumta dhe rritjes së të gjitha çmimeve të produkteve esenciale, për qindra punëtorë të kësaj fabrike do të ishte jashtëzakonisht e rëndë të mbeteshin pa punë.
Prandaj, ftoj Qeverinë që të gjejë sa më parë një zgjidhje që situata në fabrikën e Ferronikelit t’i kthehet shpejtë normalitetit.


