Sporti

Armand Duka rizgjidhet për herë të 6 president i FSHF-së, ja sa vota mori në Asamblenë e sotme

03/15/2022 11:25
nga:L J

Asambleja e FSHF-së e mbledhur sot në “Shtëpinë e Futbollit”, ka zgjedhur Armand Dukën si presidentin e saj për një mandat të 6. Votimi i cili padyshim do të shoqërohet me procese ligjore nga kundërshtarët e tij, ka caktuar përsëri Dukën në krye të institucionit të futbollit për 4 vitet e ardhshme.

Pas votimit që u krye sot, nga 43 anëtarë të pranishëm në sallë, Duka ka marrë votat e nevojshme që në raundin e parë. Atij i mjaftonin 29 vota që të shpallej president i FSHF-së në këtë votim.

“Nga 43 votues të vlefshëm, pjesëmarrës të rregullt, kemi 2 fleta të pavlefshme për gabime teknike, kemi 4 vota për zotin Sulejman Starova dhe diferenca prej 37 votash, më shumë se kuorumi e shpall zotin Armand Duka president të FSHF”, tha kryetari i Komisionit të verifikimit, Koço Kokëdhima duke mbyllur procesin.