Lajme

Në Finlandë është rritur përkrahja për anëtarësim në NATO

03/14/2022 17:39
nga:Astrit Gashi

Që prej se ka filluar agresioni në Ukrainë nga Rusia, shtetet përreth kanë filluar të mendojnë edhe për sigurinë e tyre.
Veçmas në Finlandë, shtet ky i cili u kërcënua nga Rusia se mund të përballet me pasoja nëse e mendon anëtarësimin në NATO. Bashkë me Finlandën, Rusia kërcënoi edhe Suedinë.

Si përgjigje, Presidenti i Finlandës udhëtoi drejt Washingtonit, ku përveç mbështetjes politike u bë e ditur se pilotët finlandez do të shkojnë për trajnime në SHBA.

Gjatë takimit me Presidentin e Finlandës, Presidenti i SHBA-së Joe Biden i telefonoi edhe Kryeministres së Suedisë në shenjë përkrahjeje.
Ish -kryeministri dhe kryediplomati suedez, Carl Bild, ka publikuar sondazhet që flasin se mbështetja në për anëtarësimin e Finlandës neutral janë rritur.

Sipas Bildt, kjo nuk mund të jetë ndryshe as në rastin e Suedisë.

“Tani mbështetja për të hyrë në NATO në Filandë është rritur në 62%. Thjeshtë është e paimagjinueshme që Suedia të ndahet nga Finlanda në ndryshimin e politikës që po vjen” ka shkruar Bildt.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova një ditë pas fillimit të agresionit të Rusisë, më 25 shkurt, kishte thënë se Moska do të duhet të kundërpërgjigjet, nëse Suedia dhe Finlanda vendosin të bëhen anëtare e NATO-s.

Zakharova tha se të gjitha vendet anëtare të OSBE-së, duke përfshirë Finlandën dhe Suedinë, kanë miratuar parimin se siguria e një vendi nuk mund të ndërtohet në kurriz të sigurisë së një vendi tjetër.