Lajme

Alexandrovich: Ukraina nuk do ta ndryshojë qëndrimin për Kosovën, respektojmë integritetin territorial të Serbisë

03/12/2022 11:41
nga:Astrit Gashi

Ukraina vlerëson qëndrimin e Serbisë, e cila ka votuar në favor të rezolutës së OKB-së, me të cilën u dënua agresioni rus kundër Ukrainës dhe sa i përket Kosovës, mund të them se qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar, as nuk do të ndryshojë, Ukraina respekton integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë, përfshirë edhe Kosovën, ka thënë në një intervistë për portalin Kosovo Online Ambasadori në largim i Ukrainës në Beograd, Alexander Alexandrovich.

“Thjesht mund të përsëris qëndrimin tonë zyrtar, i cili nuk ka ndryshuar që në fillim dhe nuk do të ndryshojë, e ai është se ne respektojmë integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë, duke përfshirë edhe Kosovën”, ka thënë ai.

I pyetur se a do të rrezikojë lufta në Ukrainë situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe rreth deklaratave të politikanëve në Prishtinë, se pas sulmit të Rusisë kundër Ukrainës Serbia po planifikon të sulmojë Kosovën, Alexandrovich u përgjigj: “Nuk besoj se Serbia do të sulmojë në çdo moment, por për Putinin keni të drejtë. Qëllimi i tij është që të ketë sa më shumë “pika të nxehta” në botë, në mënyrë që të largojë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar nga lufta në Ukrainë. Ai dëshiron të krijojë disa tensione të tjera, ndoshta në Ballkan, në Siri dhe ndoshta në pjesë të tjera të botës. E kuptoj këtë, kjo është taktika e Putinit. Dhe sigurisht të ndjek atë që po ndodh në Ballkan dhe jam i bindur se Qeveria e Serbisë, por edhe të tjerët janë plotësisht përgjegjëse dhe se ata e kuptojnë taktikën e Rusisë dhe shpresoj se gjithçka do të jetë paqësore këtu në Ballkan”.