Është e nevojshme të ndihmohet Ukraina, por edhe të shmanget përshkallëzimi dhe hyrja në luftë me Rusinë, tha sot kreu i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borell.
“Një gjë është e qartë: ne duhet të ndihmojmë Ukrainën sa më shumë që të jetë e mundur, por gjithashtu të shmangim përshkallëzimin e luftës. Ne duhet të parandalojmë përhapjen e luftës në vendet e tjera dhe të parandalojmë hyrjen në luftë me Rusinë. Kjo do të ishte Lufta e Tretë Botërore,” tha Borell në një intervistë për radion franceze France info.
I pyetur për mundësinë e një embargoje evropiane ndaj gazit dhe naftës ruse, siç është vendosur nga Shtetet e Bashkuara, ai vlerësoi se do të ishte shumë më e vështirë për Bashkimin Evropian të bënte një zgjedhje të tillë.
“Ne importojmë shumë nga Rusia. SHBA-ja nuk e ka fare të vështirë, sepse nuk konsumon shumë naftë nga Rusia”, theksoi Borell.


