Lajme

Ish-këshilltari i Kurtit reagon për deklaratën e Bislimit: Super skandaloze

03/10/2022 17:51
nga:Genita C

Shkëlzen Gashi, publicisti dhe ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, e ka komentuar huqjen e Besnik Bislimit, i cili ditën e sotme u demantua nga zëvendës sekretari i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge lidhur me një “tweet” që ai e kishte shkruar në Twitter.

Zëvendës-kryeministri Bislimi tha se gjatë takimit me Berge kanë diskutuar mbi aplikimin e Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat për integrim në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, gjatë bashkëbisedimit u theksua se progresi i Kosovës në reformat e rekomandimet e BE ka vijuar me rezultate pozitive.

Por ndaj deklaratës së Bislimit ka reaguar zëvendës-sekretari Berge.

Berge konsideron se ajo çfarë është biseduar me Bislimin, nuk qëndron në përshkrimin që ky i fundit e ka bërë në statusin në Twitter.

“Fatkeqësisht, ky nuk është një përshkrim i saktë i asaj që deklarova në takim në lidhje me një aplikim të mundshëm në Këshillin e Evropës”, ka thënë Berge.

Për këtë, Gashi, në një postim në Facebook tha se kjo është ekstra-ultra-super skandaloze.

“ajo që po më habit më së shumti është se kjo po i ndodhë një personi me koeficient të lartë të intelegjencës”, shkroi ai në Facebook.