Ditëve të fundit është vërejtur një rritje e theksuar e çmimeve për produktet bazë të konsumit, raporton GazetaBlic.
Kjo ka ngjallur reagime të ndryshme ku në mesin e tyre është edhe Instituti Demokratik i Kosovës.
Kreu i KDI-së, Ismet Kryeziu përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook” u shpreh se rritja e çmimeve, fillimisht të energjisë e së fundmi të naftës dhe pothuajse të gjitha produkteve esenciale ka vështirësuar situatën socio-ekonomike të qytetarëve.
“Kosova është duke u ballafaquar me një krizë ekonomike, e cila përgjithësisht e reflekton krizën ekonomike globale. Rritja e çmimeve, fillimisht të energjisë e së fundmi të naftës dhe pothuajse të gjitha produkteve esenciale ka vështirësuar situatën socio-ekonomike të qytetarëve. Madje, në disa raste, çmimet janë rritur përtej ndikimit real që kriza ekonomike ka pasur në produkte të caktuara, duke shkaktuar panik tek qytetarët”.
Tutje Kryeziu theksoi se në këtë krizë për vendin, Kuvendi i Kosovës do të duhej të luante një rol proaktiv në mënyrë që të përmisohet gjendja ekonomike e qyetarëve.
“KDI i bën thirrje Kuvendit të Kosovës që sa më parë të mblidhet për të ofruar zgjidhje konkrete për të adresuar nevojat e qytetarëve dhe për të kontribuar në përmirësimin e situatës aktuale socio-ekonomike”, thuhet në postimin e bërë nga Kryeziu./GazetaBlic/


