Lajme

Putini në telashe? “Bisha” nga Arktiku së shpejti do të arrijë në Ukrainë

03/10/2022 01:29
nga:Astrit Gashi

Një valë acarit mund të ndalojë më tej përparimin e Rusisë në Ukrainë, paralajmërojnë analistët.

Ajri i Arktikut që qarkullon nëpër Rusi dhe Ukrainë, në kombinim me erën lindore në ditët në vijim, mund të ulë temperaturat e natës në Kiev dhe Kharkov deri në minus 10 gradë Celsius.

Dhe ndjenja e të ftohtit për shkak të erës që do të fryej, mund të jetë deri në minus 20 gradë.

Analistët thonë se kjo mund të komplikojë operacionin e forcave ruse në Ukrainë, veçanërisht të atyre që janë bllokuar në një kolonë automjetesh të ndaluara në veri të kryeqytetit të Ukrainës.

“Kjo do të ndikojë shumë tek ata që qëndrojnë në autokolona për një kohë të gjatë, trupat ruse të mbetura në rrugë do të vuajnë më shumë,” tha një burim ukrainas për The Times.

“Temperaturat prej minus 20 do të degradojnë forcat ruse, pa dyshim. I ftohti do të përmirësojë lëvizshmërinë nëpër vend, sepse do të ketë më pak baltë, por rusët nuk janë gati për kushtet e Arktikut. Sulmet ndaj qyteteve pa veshje të duhura do të jenë tepër të rënda. Mungesa e karburantit dhe vajrave dhe lubrifikantëve adekuat do ta bëjë më të vështirë për ushtarët ndezjen e motorëve në automjete për t’u ngrohur”, tha ky burim.

“Imagjinoni të uleni në një frigorifer prej 40 tonësh gjatë gjithë natës”, tha majori Kevin Price, i cili shërbeu në ushtrinë britanike për 20 vjet, duke e vlerësuar gjendjen aktuale në terren.

Ai shtoi se moti i keq do të dëmtojë më tej moralin rus dhe do të shkaktojë viktima të reja.

“Ky nuk është një faktor vendimtar, por zhvillimi i ngjarjeve është shumë i padëshirueshëm për komandantët rusë,” tha Price.