Lajme

Zbardhet dëshmia e 61-vjeçarit grek që vrau familjen shqiptare katër anëtarëshe

03/09/2022 19:41
nga:Genita C

Një pjesë e dëshmisë që ka dhënë në polici 61-vjeçari grek, i cili vrau 4 anëtarët e familjes shqiptare në qytetin Andradiva, disa ditë më parë, është zbardhur për media.

Shtypi grek raporton se 61-vjeçari ka thënë në polici që kishte shkuar te banesa e familjes Klocaj për të ushqyer qenin, por më pas u përlesh me ta.

“Nuk u ktheva në shtëpi për të kërkuar paratë, por për t’i dhënë ushqim dhe ujë qenit tim”, është shprehur ai, duke pretenduar se ishte telefonuar nga nëna e tij që banonte një kat më sipër familjes shqiptare, e cila i ishte ankuar se po i shkaktonin probleme.

“Shkova në shtëpinë e tyre dhe u konfliktuam. Gjatë sherrit, ishim në dhomën e tyre të gjumit. Aty i qëllova. Ata kishin mbyllur ujin dhe kishin fikur energjinë për nënën time të moshuar, e kishin lënë në errësirë. Atë ditë më mori duke qarë dhe më tha që ia kishin fikur dritat sërish. I telefonova dhe u përpoqa të normalizoja situatën. Por 32-vjeçari Armando Klocaj më sulmoi verbalisht. Pastaj shkova të flisja nga afër. Konflikti verbal u kthye në përplasje mes të treve. Gjatë përleshjes, ishin në dhomën e tyre të gjumit, i hodha në krevat dhe i qëllova”, ka thënë ai para hetuesve grekë.

Por, 61-vjeçari, i cili ishte pronari i banesës ku qëndronte me qira familja shqiptare, nuk ka pranuar të tregojë përse vrau edhe dy fëmijët e mitur të çiftit, dy dhe tre vjeç. Ai thotë se “nuk e mban mend” çfarë ka ndodhur me fëmijët.

Ndërsa avokati i tij mbrojtës tha se kërkesa që kishte bërë për një ekspertizë psikiatrike për klientin e tij ishte refuzuar. 61-vjeçari u dërgua në burgun e Koridhalos.

Sipas raportimeve të shtypit grek, mes palëve ka pasur mosmarrëveshje për qiranë e shtëpisë. Ndërsa babai i Armando Klocajt, në një intervistë për emisionin ‘Uniko’ nga Spartak Koka në Klan Plus, ka thënë se pronari 61-vjeçar kërkonte t’i rriste qiranë, ndryshe nga sa e kishin të përcaktuar në kontratë, gjë të cilën e refuzonte 32-vjeçari Armando Kloci dhe bashkëshortja e tij, Maria./tvklan