Lajme

Eksperti i bujqësisë: Nuk kemi prodhim të grurit sa kemi nevojë

03/09/2022 17:49
nga:Q R

Eksperti i bujqësisë Imer Rusinovci thotë për ‘Gazeta Blic’ se në Kosovë nuk kemi prodhim të grurit sa kemi nevojë.

Sipas tij, qeveria e Kosovës duhet të brengoset për çështje më madhore, siç është çrregullimi madh në berzë.

“Prodhim të grurit nuk kemi sa i kemi nevojat. Përderisa të gjitha vendet e rajonit brengosen për sigurimin e rezervave shtetërore, ishte dashur ta vrajmë mendjen edhe ne për këtë çështje shumë madhore për momentin e ç’rregullimit të madh në berzë”, deklaron ai.

Nga ana tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në një konferencë për media ka insistuar se ka rezerva dhe i ka ftuar qytetarët të mos bëjnë panik.

“Ka rezerva e rrjedhimisht nuk ka vend për panik. I ftoj qytetarët që të ndjehen të sigurt siç është edhe situata në vendin tonë. Unë i takova përfaqësuesit te Shoqatës së Mullistëve e më siguruan se në Kosovë edhe për dy muaj ka grurë që ende nuk është bluar e në muajin e kaluar kanë bluar grurë për tre muaj. Pra ka grurë 3 muaj plus dy muaj. Qytetarët që kanë blerë më shumë se që ju nevojitet ta çojnë miellin në furrë”, tha Kurti në konferencë për media.

Edhe Shoqata e Mullisëve të Kosovës ka thënë se nuk ka hapësirë për panik.

Nga Shoqata, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, është thënë se ka mjaftueshëm miell për të paktën tre muajt e ardhshëm.