Lajme

SBASHK-u Qeverisë – Nga 100 euro deri sa të miratohet Ligji i Pagave

03/09/2022 14:30
nga:N M

Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka reaguar pas rritjes së çmimit të produkteve bazë, raporton Gazeta Blic.

Sipas një njoftimi për media kjo sindikatë ka kërkuar ndarjen e shtesave në këtë kohë kur pothuajse shumica e çmimeve të produkteve esenciale janë rritur.

Ata kanë kërkuar nga 100 euro shtesa deri në miratimin e Ligjit të ri të Pagave.

Reagimi i plotë:

Medieve të shkruara e elektronike

SBASHK –Oj Qeveri pagat nuk kanë lëvizur me vite e çmimet ngritën çdo ditë
Qeveria e Kosovës edhe tani kur çmimet e artikujve elementar vazhdojnë të shënojnë rritje duke e dobësuar shumë fuqinë blerëse të pagave që aktualisht marrin pjesa më e madhe e të punësuarve në sektorin e arsimit, por edhe në sektorë të tjerë, vazhdon me avazin e vjetër duke fajësuar të tjerët në Kosovë, apo situatat e krizës a në tregjet ndërkombëtare.

Në situatën, që sa vjen e vështirësohet, familjet që nuk kanë as edhe një të punësuar dhe ato me paga të ulëta po ngulfatën duke u zhytur në varfëri e skamje ekstreme, por me këto ngritje marramendëse e të përditshme të çmimeve edhe familjet që kishin paga pak më të larta kanë nisur të rrëshqasin drejt varfërisë e skamjes. Qeveria vazhdon me vlerësimet e me deklaratat pa bërë as edhe një veprim konkret për të ndihmuar punëtorët e arsimit dhe gjithë të tjerët në përballje me situatën tepër të rënduar nga gjithë këto ngritje të çmimeve të artikujve elementar jetësor.

SBASHK duke respektuar zërin e anëtarësisë që nga çerdhet e deri në universitete, por edhe në kulturë, i është drejtuar Ministres Nagavci që ajo ta ngrit në Qeveri dhe të aprovohet kërkesa e SBASHK-ut që nga muaji prill një shtesë prej 100 euro mbi pagat aktuale për të gjithë të punësuarit në sistemin arsimor dhe në shkencë e kulturë dhe kjo të vlej deri në kohën kur Ligji i pagave, pas dakordimit e marrëveshjes me SBASHK-un dhe sindikatat tjera të aprovohet dhe të nis së zbatuari.

Kjo nuk ka ndodhur ende dhe prandaj pakënaqësitë në tërë sektorin e arsimit e të kulturës sa vijnë e shtohen dhe këto mund të rezultojnë së shpejti edhe me veprime sindikale, pa përjashtuar edhe grevat.
SBASHK thërret ‘’Oj Qeveri pagat nuk kanë lëvizur me vite e çmimet ngritën çdo ditë.”

Prishtinë, më 9 mars 2022,
Zyra për informim e SBASHK-ut

Bllokohen dy kosovarët që u nisën të luftojnë kundër Rusisë, kthehen prapa nga ky shtet