Në kuadër të shërbimeve të sigurisë në Austri është shtuar dukshëm frika për shkak të luftës në Ukrainë.
Kjo para se gjithash për shkak të numrit të madh të spiunëve rusë, të cilët veprojnë në Evropë, ka shkruar e përditshmja austriake, “Kronen Zeitung”.
Gazeta theksoi se në ambasadën ruse në Vjenë operon një numër i madh i spiunëve. Autoritetet kompetente austriake u alarmuan sidomos pas sulmit të ashpër të Moskës zyrtare kundër kreut shtetëror të Austrisë, për shkak të deklaratave të Vjenës zyrtare në lidhje me luftën në Ukrainë.
Vjena është konsideruar gjithmonë, për shkak të pozicionit të saj gjeografik, si një qendër e spiunëve nga e gjithë bota.
Autoritetet kanë frikë se spiunët rusë mund të kryejnë akte sabotimi apo edhe vrasje politike në Austri.
Sipas “Kronen Zeitung” dyshohet se në Austri spiunët rusë kanë hartuar një listë me emrat e ukrainasve në mërgim, të cilët duhet të ekzekutohen.


