SHBA-ja ka refuzuar ofertën e shtetit aleat në NATO, Polonisë, për të dërguar aeroplanët e saj ushtarak të prodhimit rus në Gjermani.
Polonia këtë ofertë e bëri me qëllim që të ndihmojë forcat ajrore të Ukrainës, për tu mbrojtur nga invazioni rus.
“Washingtoni po përpiqet që të përshpejtojë furnizimin e Ukrainës me armatim, por mundësia që aeroplanët luftarakë nga territori i Aleancës të hyjnë në zonën e luftës nxitë një brengë të madhe në radhët e NATO-s”, ka kumtuar Pentagoni.
NATO qysh më herët ka bërë të qartë se nuk dëshiron konfliktin të drejtpërdrejt me Rusinë, ndërsa Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të ushtrisë amerikane në Ukrainë.
“Do të vazhdojmë konsultimet me Poloninë dhe aleatët tonë tjerë në radhët e NATO-s në lidhje me këtë çështje dhe me sfidat e vështira logjistike që ndërlidhen me të, por nuk besoj se propozimi i Polonisë është i pranueshëm”, ka deklaruar zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.
Ministria e Jashtme e Polonisë njoftoi të martën se është e gatshme që aeroplanët e saj luftarakë MIG-29 ti dërgojë në bazën ajrore Ramshtajn në Gjermani dhe që këta aeroplanë ti vendosë në dispozicion të SHBA-së dhe i bëri thirrje edhe shteteve tjera të Aleancës, të cilët posedojnë aeroplanë Mig-29, që të veprojnë në të njëjtën mënyrë.
Sipas diplomatëve amerikanë, ky propozim i Polonisë ka befasuar SHBA-në.


