Lajme

Letra e 19 kongresmenëve drejtuar Sekretarit Blinken për Ballkanin

03/08/2022 20:45
nga:Genita C

Kongresmenët amerikanë i janë drejtuar administratës Biden duke i dhënë disa propozime, raporton GazetaBlic.

Këto propozime janë bërë me qëllim që Biden të kthejë vëmendjen nga shtete e Ballkanit Perëndimor.

Kërkesa parësore e kongresmenëve ndaj administratës së Joe Biden është që të ndihmojë gjashtë shtetet ballkanike të lidhën më shumë me pjesën tjetër të kontinentit.

Kjo letër i është dërguar Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, i cili, pas luftës në Ukrainë, është koncentruar në Evropë.

“Duke pasur parasysh pushtimin e paligjshëm të Ukrainës nga Rusia, është më e rëndësishme se kurrë që SHBA të thellojë angazhimin dhe përfshirjen e saj në këtë rajon [Ballkanin Perëndimor]”, thuhet në letrën e kongresmenëve.

Për çështjen Kosovë-Serbi thuhet se rrezikon stabilitetin e rajonit më të gjerë dhe në pikën e tretë të kësaj letre është shkruar se është koha që Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje mbi normalizimin e marrëdhënieve të tyre.

“Për më tepër, marrëdhëniet jo të normalizuar midis Serbisë dhe Kosovës rrezikojnë stabilitetin e rajonit më të gjerë dhe kërkojnë vëmendje të menjëhershme,”.

“Katërmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është koha që Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje mbi normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Nëpërmjet rritjes së angazhimit dhe investimeve të SHBA-së dhe Evropës, si dhe një fushate bindëse publike për të zhvendosur qëndrimet në të dy vendet, përparimi është i mundur në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura”, thuhet aty.

Ndërsa, për situatën në Bosnjë dhe Hercegovinë  shkojnë vërejtjet për liderin e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodikun.

“Specifikisht, kërcënimi i liderit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik për ta tërhequr ‘Republikën Serbe” nga institucionet e shtetit, është një kërcënim i madh për Marrëveshjen e Dejtonit dhe ekzistencën e Bosnjës dhe Hercegovinës, si shtet” , thuhet në letër.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të Zërit të Amerikës, një zëdhënës i Departamentit Amerikan i Shtetit thotë se lufta e pajustifikuar e Rusisë kundër Ukrainës e bën të qartë urgjencën në rritje që paraqet për aleancën transatlantike, integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor.

“Shtetet e Bashkuara mbeten plotësisht të përkushtuara ndaj realizimit të integrimit evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor. Rusia ka qenë prej kohësh një forcë destabilizuese dhe burim dizinformimi në Ballkanin Perëndimor, për shembull, duke mbështetur një përpjekje për grusht shteti në Mal të Zi në vitin 2016 dhe përpjekjet e vazhdueshme për të nxitur tensionet në Bosnje dhe Hercegovinë”, thotë Departamenti i Shtetit.

Sa i përket çështjes së Bosnjës, thuhet se qytetarët atje prioritet kanë paqen dhe munësitë ekonomike.

Përveç sanksioneve që tashmë ia ka vendosur Amerika, për Dodikun thuhet në letër se duhet të marrë penalizime akoma më të mëdha.

Demokratizimi i këtyre shteteve është tjetër shqetësim, që i kërkohet udhëheqjes amerikane të ndihmojë, janë fjalë e fundit në letër.