Lajme

Kadri Kastrati e Bekë Berisha: Kosova ka kapacitete për t’u pranuar në NATO, por vendet që nuk na njohin janë problemi kryesor

03/08/2022 19:31
nga:Genita C

Kosova kërkon të jetë pjesë e NATO-s, nisur nga situata delikate e sigurisë pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, raporton GazetaBlic.

Për sa kohë që katër anëtarë të kësaj aleance perëndimore nuk e njohin atë si një shtet të pavarur, Kosova nuk mundet as të marrë pjesë në aktivitetet e partneritetit ushtarak.

Lidhur me këtë temë, GazetaBlic ka kontaktuar me ish – komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ushtarakun Kadri Kastratin.

Kastrati ka komentuar mbështetjen që duhet për t’i dhënë Kosovës për anëtarësim në NATO dhe kapacitetin e FSK.

Sipas Kastratit, Kosova dhe Forca e Sigurisë së Kosovës i plotësojnë kushtet për anëtarësim në NATO.

“Kosova dhe Forca e Sigurisë së Kosovës i plotësojnë kushtet për anëtarësim në NATO, por unë mendoj se kjo është pak e vështirë sepse janë disa procedura për të hyrë në NATO dhe duhet të jetë një konsesus i plotë. 30 shtete duhet të votojnë që të hyjë Kosova në NATO”, thotë Kastrati.

Kastrati shprehet skeptik për katër vendet e NATO-s dhe thotë se edhe kërkesat amerikane duhet të përshpejtojnë marrëveshjen Kosovë-Serbi.

“Unë jam skeptik për Rumaninë, Spanjën, Greqinë dhe Sllovakinë që do të votonin për një anëtarësim të Kosovës në NATO. Kërkesat amerikane është dashur të përshpejtojnë marrëveshjen gjithëpërfshirëse të Kosovës dhe Serbisë dhe ndikimin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

Ish – komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës shprehet i bindur se FSK ka kapacitet për të qenë anëtare e NATO-s.

Në anën tjetër edhe, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha thotë se antarësimi i Kosovës në NATO ka problem vendet anëtare që nuk na kanë njohur.

“Kuptohet që anëtarësimi në NATO është proces për shkak të byrokracisë së vendeve anëtare dhe problemi i vetëm është mungesa e 5 vendeve që nuk na kanë njohur”, tha Berisha për GazetaBlic.

Sipas Berishës, në rrethant në të cilat gjendemi i plotësojmë të gjitha kushtet për të qenë pjesë e NATO-s.

“Në rrethanat aktuale politike dhe gjeostrategjike ne i plotsojmë të gjitha kushtet, jemi properendimor, jemi evropian, kemi ushtri e kemi shtet.Bota tani është ndarë në dysh dhe ne kemi zgjedhur prespektivën tonë perëndimore”, përfundon Berisha./GazetaBlic/