Blerim Isufaj është ndër prokurorët kryesorë që duhet të hetojë kryerësit e veprave penale.
Por, sipas Agjencisë Kundër Korrupsion, edhe kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj, është një shkelës ligji.
Për të ardhur deri në këtë përfundim, sa për t’i ngritur kallëzim penal në fillim-shkurt 2022, AKK-ja u bazua në pasqyrën e të hyrave vjetore të 2019-ës, ku Isufaj deklaroi vetëm 33,819 euro nga 37,721, sa mori gjithsej atë vit.
Kryeprokurori nuk i shpëtoi ndjekjes së AKK-së edhe pasi ishte sqaruar se pjesën tjetër të të hyrave, 2,742 euro nga paga mujore dhe 1,159 euro nga trajnimet në Akademinë e Drejtësisë, nuk i ka deklaruar pa dashje dhe për shkak se në mars 2020, kur është bërë deklarimi, si pasojë e pandemisë, nuk ka arritur t’i nxjerrë transaksionet e plota nga banka.
Por këtij arsyetimi i besoi Prokuroria Themelore në Pejë, ku u delegua lënda.
Me anë të aktvendimit që siguroi Klani, këta e hodhën poshtë kallëzimin penal më 4 mars.
“Në rastin konkret mungon pikërisht dashja si element subjektiv i kësaj vepre penale. Kjo për faktin se të hyrat e padeklaruara nga ana e të dyshuarit janë 3,902 euro, të gjitha janë të hyra nga institucionet publike, të cilat i dyshuari i ka pranuar përmes llogarisë bankare,” – thuhet ndër të tjera në aktvendimin e Themelores.
Tashti që zyrtarisht është jashtë llupës së prokurorisë, Blerim Isufaj është sërish i barabartë në garën për Kryeprokuror të Shtetit, me 5 kundërkandidatë tjerë.
Denoncimin ndaj Isufajt e kishte ngritur kreu i AKK-së, Ylli Buleshkaj.
Para se të zgjidhej drejtor i AKK-së me votat e shumicës qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje, Buleshkaj kishte shërbyer si zyrtar në Zyrën për Regjistrimin e Partive Politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Në prag të zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit, kur Këshilli Gjyqësor i Kosovës kishte propozuar KQZ-së mos-certifikimin e kandidatëve të dënuar me vepra penale, zyra që asokohe drejtohej nga Buleshkaj kishte nxjerrë rekomandim të kundërt nga KGjK-ja.
Ai i kishte rekomanduar përfaqësuesve të KQZ-së që të lejonin pjesëmarrjen në zgjedhje të kandidatëve të dënuar për vepra penale në tri vitet e fundit, në mesin e të cilëve ndodhej edhe Albin Kurti, sot shef i qeverisë, atëherë kandidat për kryeministër.
Këshilli Prokurorial i Kosovës më 15 shkurt 2022, ka miratuar listën e kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, në të cilën është edhe Blerim Isufaj, aktualisht Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale. Ai ishte edhe kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Avokati Von Bone: Një dëshmitar në rastin e Salih Mustafës është anëtar i LDK-së


