Sporti

Marc Olivier: Do të shkruajmë historinë, Malisheva do të mbetet në Superligë – ndaj Ballkanit futemi për fitore!

03/07/2022 17:26
nga:L J

Skuadra e Malishevës në futboll po lufton me çdo kusht që të mbetet në Superligën e Kosovës në futboll.

Aktualisht ekipi i Arsim Thaqit është në pozitën e shtatë me 26 pikë, dy më shumë se Dukagjini që pozicionohet në vendin që dërgon në barazh, e katër më shumë se Ulpiana, që renditet në vendin që të largon nga elita e futbollit kosovar, shkruan GazetaBlic Sport.

Sulmuesi i Malishevës, Marc Olivier thotë se skuadra dhe ai po punojnë shumë që të shkruajnë historinë dhe të mbeten në Superligën e Kosovës edhe për edicionin tjetër.

“Thjesht punoj shumë në stërvitje dhe jap gjithçka në ndeshje. Besoj se po, ne mund të mbesim në elitë, ne kemi një ekip shumë me përvojë dhe kemi shumë lojtarë cilësorë që kanë dëshirën për të fituar dhe me këtë jam i sigurt se do të bëjmë histori”, tha Marc Olivier për ‘GazetaBlic Sport’.

Ai e përshkroi futbollin kosovar si mjaft të mirë, që do të përmirësohet edhe më shumë në të ardhmen.

“Superliga e Kosovës është një ligë e mirë, ka shumë talent në ligë, është një ligë që po përmirësohet dhe do të vazhdojë të përmirësohet”, vazhdoi ai.

Në fund Olivier foli edhe për ndeshjen e radhës ndaj Ballkanit, ku tha se do të luajnë për të fituar tre pikë dhe për t’i gëzuar tifozët “Tornado”.

“Po, Ballkani është një skuadër e mirë dhe ka lojtarë cilësorë, por ne jemi gjithashtu një ekip i mirë me lojtarë cilësorë dhe do të jetë një ndeshje e mirë, mund të them se do të japim gjithçka si gjithmonë dhe do të bëjmë maksimumin që të dalim me 3 pikë për tifozët”, përfundoi ai,

/GazetaBlic Sport