Lajme

Kurti takoi ambasadorin Szunyog, diskutuan për drejtësi dhe luftim të korrupsionit

03/03/2022 19:29
nga:Donika Fetahu

Në takimin e sotëm ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesit special të BE-së, ambasadorit Tomas Szunyog, u diskutua për fushën e drejtësisë dhe luftimit të korrupsionit.

Kryeministri Kurti tha se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për reformën në drejtësi, dhe se vetingun në sistemin e drejtësisë e sheh si procesin më të përshtatshëm që e mundëson atë.

Ai tha se ne duhet të mësojmë nga përvoja e Shqipërisë dhe ta vëmë atë në shërbim të një vetingu të suksesshëm në Kosovë.

“Ne duam që procesin e vetingut ta bëjmë së bashku me Bashkimin Evropian”, u shpreh Kurti.

Më tej kryeministri tha se angazhimin e Policisë së Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet ta komplementojmë me prokurorë dhe gjykatës efektiv, të cilëve nuk u mungon as integriteti e as kompetenca.

Në anën tjetër ambasadori Szunyog tha se sundimi i ligjit në Kosovë është çështje e rëndësishme për Bashkimin Evropian.

Ai tha se pajtohet për nevojën për një sistem të drejtësisë që është efikas dhe i paanshëm.