Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë pajtuar që të tërheqin nga rendi i ditës tri pikat e para dhe të kalojnë drejtpërdrejt në pikën ku do të trajtohet rezoluta në mbështetje të Ukrainës, raporton GazetaBlic.
Ata mbajtën në duar pankartat me mbishkrimin “Kosova qëndron me Ukrainën”.
Ndërsa grupi parlamentar i Listës Serbe pankartat me këtë mbishkrim i kanë larguar nga tavolina duke i kthyer prapa që të mos duket asgjë.
Në anën tjetër Kuvendi i Kosovës me 94 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ka votuar rezolutën e cila e dënon agresionin ushtarak dhe invazionin e federatës ruse mbi Ukrainën dhe popullin e saj.
Të gjitha grupet parlamentare përveç Listës Serbe që nuk mori pjesë në këtë seancë, e kanë dënuar agresionin rus në Ukrainë.
Këtë veprim nga Lista Serbe e ka komentuar edhe analisti politik, Imer Mushkolaj.
Mushkolaj përmes një shkrimi në “Facebook” thotë se deputetët e Listës Serbe treguan qasje fashiste ndaj agresionit rus në Ukraninë.
“Deputetët e Listës Serbe me qasje fashiste ndaj agresionit rus në Ukraninë – njësoj si shefi i tyre në Beograd”, shkruan Mushkolaj./GazetaBlic/


