Sporti

“Vazhdoni të luftoni djema! Mos u dorëzoni kurrë”, mesazhi i Fury për vëllezërit Klitschko

03/03/2022 09:32
nga:L J

Kampioni i peshave të rënda, Tyson Fury ka folur për pushtimin rus të Ukrainës nga Vladimir Putin dhe ka shprehur mbështetje për ish boksierët Vitali Klitschko, Wladimir Klitschko, Vasyl Lomachenko dhe Oleksandr Usyk.

TMZ Sports zhvilloi një intervistë me superyllin 33-vjeçar të boksit për luftën e madhe dhe ai madje tha se nëse lufta do të vinte në SHBA ose Britani të Madhe, ai do të ishte aty me armë në dorë.

“Dy ligje janë në jetë, duaje gruan tënde dhe lufto për vendin tënd. Pra, ata duhet të luftojnë për vendin e tyre. Pse jo? Nëse lufta vjen në Shtetet e Bashkuara ose në Mbretërinë e Bashkuar, atëherë unë do të bashkohem. Mos u shqetësoni për këtë. Ne të gjithë do ta bëjmë! Pse nuk do të mbrojmë tokën tonë?”, tha Fury.

Disa njerëz janë befasuar që boksierët, të cilët janë të gjithë të famshëm dhe të pasur, e kanë vënë veten në rrezik të madh të dëmtimit ose vdekjes duke luftuar kundër forcave të Putinit.

Por, Tyson ka hedhur poshtë mendimin që boksierët po rrezikojnë shumë duke luftuar përkrah ushtrisë.

“Ç’lidhje kanë paratë me këtë? Nuk ke vend ku të kthehesh, të gjitha paratë e botës nuk të duhen pastaj. Nuk mund t’i shpenzosh”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport