Pas thashethemeve vjen edhe konfirmimi. Roman Abramovich njoftoi këtë të mërkurë se do të shesë Chelsean.
Përmes një deklarate në faqen zyrtare të londinezëve, manjati rus shpjegon se ai e mori vendimin duke u konsideruar “në interesin më të mirë të klubit, tifozëve, punonjësve, si dhe sponsorëve dhe partnerëve”. “Ky ishte një vendim tepër i vështirë për t’u marrë dhe është e vështirë të largohesh nga klubi në këtë mënyrë,” tha ai, përcjell GazetaBlic Sport.
Në të njëjtin shënim, Abramovich tregon gjithashtu se nuk do të kërkojë shlyerjen e borxhit prej 2.3 miliardë eurosh që i ka Chelsea, një shumë që është investuar në 19 vitet e fundit.
“Kjo nuk ishte kurrë për para, ishte për pasion. Në fakt kam dhënë udhëzime për të ngritur një fondacion solidar ku do të shkojnë të gjitha fitimet nga shitja dhe që do të shërbejë për të mbështetur viktimat e luftës në Ukrainë”.
Kujtojmë që Roman Abramovich e bleu Chelsean në vitin 2003 për 167.6 milionë euro. Një investim që e ndihmoi klubin të fitojë një Kupë të Botës për Klube, dy Liga Kampionësh, dy Liga Europa, një Superkupë Evropiane, pesë Kampionatin Anglez, pesë Kupa të Anglisë, tre Kupa të Ligës dhe dy Superkupa të Anglisë.
/GazetaBlic Sport/


