Shtatë ditë pas fillimit të sulmeve ruse në Ukrainë, mbetet e paqartë se sa viktima ka pësuar Rusia.
Sot qeveria ukrainase ka njoftuar se rusët deri më tani kanë humbur 5,840 trupa, ndërkohë qeveria ruse ka pranuar se kanë humbur trupa, por pa dhënë shifra, përcjell GazetaBlic.
‘Kyiv Independent’ hedh më shumë dritë mbi fatin e ushtrisë ruse në këtë luftë, pasi ata kanë arritur të sigurojnë një përgjim ku flitet për vdekjet që ka pësuar ushtria e Putinit.
Në përgjim, një grua e paidentifikuar qan duke i thënë anëtarit të saj të grupit në WhatsApp se ‘Brigada e Tankeve’ lokale ishte shkatërruar totalisht në Ukrainë.
Përgjimi i siguruar nga Kyiv Independent:
Në veçanti, ajo përmend se “vetëm 18 nga 150 ushtarë mbijetuan”, ndoshta do të thotë që një nga formacionet e brigadës u shkatërrua nga trupat ukrainase.
Gruaja duke qarë thotë gjithashtu se disa nga të vrarët ishin fqinjë dhe të njohur të saj. Ajo përmend veçanërisht një pjesëtar të shërbimit ushtarak të quajtur Evgeniy Zhilin. Ky emër mund të gjendet në regjistrin e zbuluar të 120,000 ushtarëve rusë që dyshohet se janë përfshirë në pushtimin e Ukrainës, të publikuar më 1 mars nga Qendra e Ukrainës për Strategjitë e Mbrojtjes, një institut kërkimor.
Sipas gruas, të vrarët ishin kryesisht meshkuj shumë të rinj. Komuniteti lokal mësoi për vdekjen e tyre një ditë para se të bëhej regjistrimi dhe vajtoi humbjet.


