Lajme

Daçiq: Serbia nuk do t’i bashkohet BE-së me sanksione ndaj Rusisë

03/02/2022 12:29
nga:Genita C

Kryetari i Kuvendit të Serbisë në mandatin teknik, Ivica Daçiq, edhe sot ka përsëritur se, me rastin e pushtimit rus të Ukrainës, pritet nga Serbia që të “kalojë në anën e dikujt”, duke përfshirë edhe harmonizimin e politikës së saj të jashtme me Bashkimin Evropian, por sipas tij, “kjo nuk është në interes të Serbisë”.

Daçiq gjithashtu ka deklaruar për televizionin serb RTS se “obligimi për harmonizimin e politikës së jashtme me politikën e BE-së duhet të jetë gradual deri në anëtarësimin në BE”, gjë që, siç ka pretenduar ai, Serbia nuk e pret në një të ardhme të afërt.

“A garantojnë që ne do të hyjmë nesër në BE? Jo, por pas dhjetë, 15, 20 vjetësh. Epo mirë, edhe ne do ta harmonizojmë politikën tonë të jashtme për dhjetë, 15, 20 vjet”, ka thënë Daçiq.

Ai shtoi se BE-ja dëshiron që Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë “e cila mbron më së shumti interesat shtetërore dhe kombëtare serbe”.

“Në këtë kuptim, ne nisemi nga interesat tona dhe nuk kemi interes të ndjekim një politikë në përputhje me interesat e Perëndimit, por në përputhje me interesin tonë shtetëror”, shprehë Daçiq haptas qëndrimin e Serbisë zyrtare.

Daçiq është edhe kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë, themelues i të cilën ka qenë krimineli Sllobodan Millosheviq, e i cili në atë kohë ka qenë zëdhënësi i Millosheviqit.